Dashuri e mahnitshme

Mutee’a Al-Fadi

Unë kam qenë një mysliman shumë i devotshëm i lindur dhe rritur në Arabinë Saudite. Për 20 vite të jetës sime kam praktikuar mësimet e Islamit në Arabi në çdo aspekt të jetës sime. Këto mësime nënkuptonin besimin që Islami ishte religjioni përfundimtar në botë dhe i vetmi i pranueshëm në botë; që ishte rruga për t’u shpëtuar; se ata që nuk e pranonin islamin si besim janë të dënuar për ferr dhe adhurimi dhe veprat e tyre nuk do t’i shpëtojnë deri sa ata nuk e pranojnë Allahun dhe Muhamedin si  të dërguarin e tij; që shpëtimi për myslimanët është nëpërmjet veprave dhe nuk është i garantuar me përjashtim të atyre që vdesin në emrin e Allahut; se myslimanët janë më superior ndaj të tjerëve; se të gjithë jo-myslimanët konsiderohen të pafe, përfshirë edhe të krishterët; që Jezus Krishti është vetëm njeri dhe profet i Allahut, i cili nuk ka vdekur kurrë në kryq dhe nuk është ringjallur por që është ngritur në qiej për t’u shpëtuar nga përndjekësit e tij dhe do të vijë në mbarim të botës për të restauruar Islamin si religjion të vërtetë, për ta vrarë antikrishtin dhe për t’i konvertuar të krishterët në islam. Por gjëja më imponuese me të cilën jam rritur ka qenë URREJTJA. T’i urrej të gjithë ata që nuk e adhurojnë Allahun dhe besojnë Islamin, përfshirë të krishterët dhe hebrenjtë. 

Rreth moshës 12 vjeç, kisha mësuar përmendsh gati gjysmën e Kuranit. Qëllimi im ishte ta mësoja të tërin sepse thuhej që mbajtja mendsh i mbulonte mëkatet dhe të lante gjynahet. Kur i bëra 15-të isha i gatshëm të vdisja në rrugën e Allahut së bashku me një grumbull të rinjve që po shkonin në Afganistan për të luftuar Bashkimin Sovjetik së bashku me Osama Bin Ladenin (i cili ishte hero për ta në atë kohë). Nuk ishte kërkesa e familjes sime për të qëndruar arsyeja pse nuk shkova, sepse e dija që shpërblimi që ofrohej të vdisje në rrugën e Allahut ishte garanci për parajsë  me të gjitha mëkatet që do ishin të falura, por më tepër ishte fakti që ndërsa po rritesha fillova të deshifroja gjuhën e Kuranit shumë më mirë dhe brenda saj pash mesazhet e urrejtjes që nuk i kuptoja dhe nuk më pëlqenin aspak. Nuk mund të besoja që Perëndia mund të urrente krijesën e tij për faktin që ata nuk e pranonin atë. Mendova që Perëndia do të duhej të ishte mbi këtë dhe më i madh se kjo.  Por ti ndaje këto mendime apo dyshime që kisha me të tjerët mund të më shkaktonte shumë kokëçarje dhe do ta rrezikonte sigurinë time (sepse dënimi për dyshim dhe blasfemi kundër Allahut ishte vdekja).  

Pasi mbarova studimet në Arabinë Saudite unë doja të vazhdoja me studime pasdiplomike në një vend perëndimor, por kisha një dilemë. Dilema ishte se Islami i mësonte njerëzit të mos i bëjnë shok të krishterët. Megjithëkëtë në vitet e vonshme të tetëdhjetave unë arrita në një vend perëndimor dhe isha i mbushur me frikë dhe siklet që do duhej të kisha punë me të krishterët, por pavarësisht nga kjo e dija që ishte e domosdoshme për të ndjekur studimet më të larta.

Pas rreth një muaji në konviktin studentor, unë fillova të ndjeja nevojën të bëhesha më i afërt me kulturën dhe mënyrën e jetesës së vendit në të cilën isha. Gjatë kësaj kohe dëgjova për një program që u ndihmonte studentëve të huaj të bashkoheshin me familjet e këtij vendi që të mësonin më tepër për kulturën dhe jetën . Shumë pak e dija që kjo ishte një shërbesë e krishterë. Kështu që u nënshkrova për këtë program; një vendim që do të ndryshonte rrjedhën e jetës sime përherë. Pas dy jave gati më vonë, një çift i ri nga programi më kontaktoi dhe kjo ishte familja e caktuar të punonte me mua. Dhe për gati shtatë muajt e ardhshëm, kjo familje më dëshmoi DASHURINË që i tejkaloi plotësisht pritjet e mia, DASHURI të cilën nuk e kisha përjetuar as nga njerëzit e mi mysliman. Vonë gjatë atij viti kjo familje më ftoi në shtëpinë e  tyre për darkë dhe ishte atëherë kur kuptova që kjo familje ishte e krishterë sepse më pyetën nëse mund të luteshin dhe unë i dëgjova lutjet e tyre. Më duhet ta pranoj, zemra ime u fundos. Kurrë se kisha kuptuar që të krishterët ishin të mbushur me një DASHURI të tillë dhe të mos urrejnë sikurse besimi im më dukej mua. Është për t’u përmendur, kjo familje kurrë nuk e kishte ndarë ungjillin me mua; por më saktë e dëshmuan dashurinë e Krishtit me anë të veprimeve të tyre. Po atë ditë, unë dola nga shtëpia e tyre me dyshime të mëdha për besimin dhe mësimet e mia. U zotova ta hulumtoj krishterimin për të kuptuar më tepër për këtë Jezus që bënte aq ndryshim të thellë në jetën e dikujt, që ofronte gëzim dhe paqe që nuk i kisha parë më parë dhe që ishte burimi i dritës që shkëlqente nga ta.     

Disa vite më vonë pas diplomimit, iu bashkova një kompanie lokale dhe atje takova edhe një zotëri të rilindur të krishterë, i cili ishte një model i të jetuarit të krishterë.  Isha shumë i impresionuar me besimin e tij; ecjen; gëzimin; paqen dhe dritën që po shkëlqente nga ai. Ai ishte pas asnjë dyshim, ndryshe nga të gjithë të tjerët . Dhe kur më ftoi në shtëpinë e tij për darkë, vura re që edhe fëmijët dhe gruaja e tij ishin plotësisht të njëjtë si ai. Ata ishin të njëjtë me familjen që kisha takuar në kolegj. Ishte pikërisht atëherë kur nuk mund ta mbaja më kureshtjen dhe e pyeta pse ishte kaq ndryshe nga të tjerët. Ai pastaj vazhdoi të ndante dëshminë e tij me mua dhe më tregoi që ishte krishterë i rilindur. Kjo ishte si rezultat që ai kishte pranuar Jezusin si Zot dhe Shpëtimtar dhe u bë ai që ishte pa asnjë përpjekje nga ana e tij. Ndonëse, sikurse familja e mëparshme, ai asnjëherë nuk e ndau Ungjillin me mua dhe sërish u dashurova me Krishtin i cili i ndryshonte këta njerëz.    

Që nga ky moment e tutje, Zoti lejoi që unë të kaloja një numër të sprovave dhe rrethanave në jetë nëpërmjet të cilave u bëra shumë i interesuar për të ditur më shumë rreth tij. Në vitin 2001, vendosa të shkoja në një kishë të krishterë (kundër çdo gjëje që më kishte mësuar besimi im dhe kundër të gjitha mundësive sepse një mysliman i vërtetë nuk do të shkonte kurrë në një kishë të krishterë). Pas 6 muaj dhe pas studimeve të Ungjillit të Gjonit në kishë çdo të diel , unë mësova kush ishte Krishti.    

Në atë vit, pas asnjë hije të dyshimit, e pranova Krishtin si Zot dhe Shpëtimtar. Duke qenë armik i Krishtit dhe krishterimit në përgjithësi, për t’u bërë një krishterë i rilindur që do të bënte çmos për ti shërbyer Perëndisë. Dhe për disa muaj dhe me anë të sprovave në jetë, arrita të kem një marrëdhënie personale me Zotin; të varem plotësisht nga ai dhe ta përjetoj tërësisht në jetën tim. Gjatë kësaj kohe ai e shpalosi madhështinë e mahnitshme të tij ndaj meje në mënyrë të tillë që kurrë të mos e mohoj dhe dyshoj.  Që atëherë, jeta ime ka ndryshuar  përjetë dhe unë nuk jam më ai që kam qenë dikur.

Ju lutem keni parasysh që mesazhi i Ungjillit nuk është ndarë kurrë me mua gjatë tërë kohës së hulumtimit tim dhe as që e kisha dëgjuar në tërësi deri pas pranimit të tij. Momenti kthyes në jetën time ka qenë thjesht aksioni i DASHURISË nga dy familje të krishtera që shkëlqenin dritën e Krishtit, sikurse ishin urdhëruar nga ai tek Mat. 5:16 “Ju jeni drita e botës... Andaj le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej”. Nëpërmjet veprimeve të tyre të dashurisë arrita ta njoh Krishtin dhe nëpërmjet dashurisë së tyre, Ati ynë në qiell është përlëvduar  dhe do të vazhdon të jetë i tillë. Ne shpesh mund të mos e shohim  thjeshtësinë e ungjillit, që DASHURIA ishte urdhëresa më e madhe e dhënë nga Krishti. Ne harrojmë që mesazhi është KRISHTI dhe jo KRISHTERIMI, që ne jemi mesazhi në mënyrën se si e prezantojmë Krishtin tek të tjerët dhe kjo mund të bëj ndryshim të thellë në jetët e atyre që na shikojnë, sikurse ndodhi edhe me mua kur isha duke i vështruar ata po ashtu.   

Miq, në qoftë se nuk keni bërë një vendim në jetën tuaj për të njohur Krishtin dhe ta pranomi si  Zotin dhe Shpëtimtarin tuaj, si të vetmin Perëndi të vërtetë, unë lutem që do ta bëni këtë që sot. Në momentin që e bëni këtë, ju do të filloni një rrugëtim që do të ndryshojë rrjedhën e jetës suaj, por e vetmja mënyrë për ta pranuar është, ti bëni rezervimet e juaja me Krishtin në këtë moment, sepse jeta është shumë e shkurtër dhe ne nuk kemi kontroll  ndaj asaj çfarë mund të na ndodh në sekondën tjetër.

Jeni të mirëseardhur të më kontaktoni në adresën përkatëse muteea(at)unityemail.net me pyetjet apo komentet tuaja në gjuhën angleze apo arabe.

Paqja e Perëndisë ju bekoftë juve dhe të afërmit tuaj.

________________________________________________________________________

   Përktheu: Luka
* Dëshmia në gjuhën angleze mund të gjendet këtu.
   Dëshmi të tjera besimi