Kapitulli 14

Historia e Zia Nodrat

Në Kabul, Afganistan, gjatë 1964, një djalë 14 vjeçar, Zia Nodrat u përfshi në Institutin NOOR për të verbërit. Ai në këtë kohe e dinte të gjithë Kuranin përmendësh. Në termat perëndimor kjo do të ishte sikur një anglisht folës të mësonte përmendësh Dhiatën e Re në greqisht, meqë ende arabishtja nuk ishte gjuha amtare për Zian. Ai i përfundoi gjashtë klasat e para fillore të Institutit për tre vjet.

Ndërsa ndiqte klasat në Braille pranë Institutit për të verbërit, Zia gjithashtu mësoi anglishten. Ai e bëri këtë duke dëgjuar dhe përsëritur atë çfarë dëgjonte prej një tranzistori radioje. Me ndihmën e një kufjeje të vogël veshi, ai dëgjonte programe që arrinin në Afganistan prej vendeve të tjera. Ai në fakt filloi të bënte pyetje në lidhje me ato që kishte dëgjuar, si për shembull: “Çfarë doni të thoni me shpengimi zëvendësues?”. Ai kishte dëgjuar koncepte të tilla teologjike gjatë transmetimeve të krishtera në radio siç ishte Zëri i Ungjillit që vinte prej Addis Abeba në Etiopi, Afrikë.

Së fundi, ai ndau me disa persona se kishte pranuar Jezus Mesinë si Shpëtimtarin e tij personal. Ata e pyetën nëse ai e kuptonte që mund të vritej për këtë, sepse Ligji Islamik për apostazi për këdo që largohet nga Islami është vdekja. Ai u përgjigj: “E kam llogaritur koston dhe jam i gatshëm të vdes për Mesinë, sepse edhe ai ka vdekur në kryq për mua”.

Më pas Zia u bë drejtues shpirtëror i disa të krishterëve afganë. Në Institutin e të verbërve në Kabul, studentët e zgjodhën atë si kryetarin e shoqatës së tyre. Por vitin e ardshëm pasi u bë e ditur se ai ishte bërë i krishterë, ai e humbi zgjedhjen për këtë pozitë. Njëra prej mësuesve të tij të krishtera i tha se i vinte shumë keq që ai humbi. Ai u përgjigj duke cituar nga profeti Gjon pagëzori i cili thotë për Jezusin: “Ai duhet të rritet dhe unë të zvogëlohem” (Gjoni 3:30). Qëllimi i tij në jetë nuk ishte të kërkonte ngritje për veten e tij por të ishte një shërbëtor i përulur i Perëndisë së tij. Babai i Zias tha se para se të hynte në Institutin e të verbërve ai ishte si një copë qymyri e ftohtë që nuk ndizej. Pas përvojës së tij atje ai është bërë si një copë qymyri e nxehtë që digjet flakë.

Një herë ai huazoi një kopje Braille të ungjillit sipas Gjonit. E hapi atë dhe e lexoi me gishtat e tij. Më pas e ktheu dhe tha se kishte gjetur përgjigje për pyetjen e tij. Kur e pyetën se cila kishte qenë pyetja e tij ai u përgjigj se tek Gjoni 13:34 Jezusi tha: “Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin”. Ai pyeste veten pse Zoti Jezus e quante një urdhërim “të ri” meqë urdhërimi “doni të afërmin si vetvetja” i ishte dhënë Moisiut, sikurse është shënuar në Librin e Dhiatës së Vjetër tek Levitiku 19:18. Por tani e kuptonte. Ai shpjegoi se deri në mishërimin e Mesias, bota kurrë nuk e kishte parë ndonjëherë dashurinë e personifikuar. Ai vazhdoi më tej duke cituar se Bibla tregon se Perëndia është dashuri dhe Jezusi si Perëndi në mish njerëzor është dashuria e mishëruar. Kjo është ajo që e beri urdhërimin e ri. Jezusi tha: “Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin.” Në jetën e tij të përsosur Jezusi tashmë na ka dhënë një model të ri për të ndjekur.

Zia ishte studenti i parë i verbër i cili ndiqte shkollat normale në Afganistan. Ai kishte një kasetofon të vogël me të cilin regjistronte gjithçka që mësuesit e tij thoshin, në mënyrë që ta përsëriste dhe ta mësonte. Më pas ai u bë studenti numër një ne mesin e qindrave në klasën e tij. Atyre që kishin ngelur në lëndë të ndryshme ju dha një mundësi e dytë që të jepnin provimet pas tre muajve të pushimit. Ai studioi vitin e ardshëm gjatë pushimit dhe kaloi provimet. Në këtë mënyrë ai përfundoi shkollën e mesme duke përfunduar dy klasa në secilin vit.

Zia donte të studionte ligjin islamik që të mund të mbronte të krishterët që persekutoheshin për shkak të besimit të tyre. Kështu hyri në Universitetin e Kabulit ku u diplomua në juridik. Gjithashtu studio në të njëjtën kohë edhe në themelet kalviniste meqë donte të kapte konceptet e këtij lideri reformator.

Misioni i të verbërve Christoffel në Gjermani i dha institutit për të verbërit në Afganistan një bibliotekë shumë të madhe me libra Braille në gjermanisht. Meqenëse Zia donte t’i lexonte këto ndërsa merrte edhe klasat e tjera ndoqi edhe Institutin Goethe në Kabul dhe mësoi gjermanisht. Si studenti më i mirë edhe atje gjithashtu, ai fitoi një bursë për të shkuar në Gjermani për të mësuar gjermanishten e avancuar. Kur gjermanët mësuan se ai ishte i verbër e tërhoqën këtë mundësi pasi nuk kishin marrëveshjen edhe akomodimet për një person të verbër. Ai i pyeti se çfarë duhet të bënte. Ata iu përgjigjën se atij do i duhej të udhëtonte i vetëm dhe të kujdesej për veten. Kur ai u pajtuar se do t’i bënte këto, ata më në fund e pranuan atë. Ndërsa studionte atje me studentët më të mirë të Institutit Goethe nga e gjithë bota, ai ishte numri një edhe në këtë kurs të avancuar gjithashtu.

Zia përktheu gjithashtu Dhiatën e Re, prej gjuhës persiane iraniane në dialektin e tij afgan dari. Kjo u botuar nga Shoqëria biblike pakistaneze në Lahore. Botimi i tij i tretë u botua nga Shtypi i Universitetit Kembrixh në Angli, në 1989. Ai po ashtu udhëtoi për në Arabinë Saudite ku fitoi një garë për mësimin e Kuranit përmendësh. Gjyqtaret myslimanë ishin kaq të habitur dhe zhgënjyer që një folës jo arab kishte marrë vendin e parë saqë e shpërblyen edhe me një çmim tjetër që ishte për arabishten më të mirë në konkurs. Meqë shumë studentë të verbër si Zia ishin kthyer në të krishterë, në mars 1973, qeveria myslimane në Afganistan dërgoi një urdhëresë me shkrim për mbylljen e dy Instituteve për të verbërit, njëri prej të cilëve ishte në Kabul dhe tjetri 700 milje në perëndim në Herat. Të gjithë mësuesit nga jashtë për të verbërit së bashku me familjet e tyre u urdhëruan të largoheshin nga Afganistani brenda një jave. Ndërsa këta mësues të dedikuar largoheshin, Perëndia u dha atyre një premtim nga Isaia 42:16: “Do t`i bëj të verbërit të ecin nëpër një rrugë që ata nuk e njihnin dhe do t`i çoj nëpër shtigje të panjohura; do të ndryshoj para tyre terrin në dritë dhe vendet dredha-dredha në fushë. Këto gjëra do të bëj për ta dhe nuk do t`i braktis”.

Më pas qeveria myslimane, shkatërroi ndërtesën e kishës së krishterë në Kabul, pasi kishte dhënë më parë leje për ndërtimin e saj. Kryetari Ajzenhauer kishte kërkuar leje për ndërtimin e këtij objekti nga Mbreti Zahir Shah në vizitën e tij në Afganistan në 1959, pasi një xhami ishte ndërtuar në Uashington. D.C. për diplomatët myslimanë atje dhe diplomatet e krishterë dhe të krishterët e tjerë kishin nevojë të adhuronin mbi të njëjtat baza reciproke në Kabul. Të krishterë nga vende në të gjithë botën kontribuuan për ndërtimin e saj. Gjatë dedikimit të saj në gurin e themelit me mermer të bukur alabastër afgan të gdhendur lexohej: “Për lavdinë e Perëndisë ‘ Që na do dhe ka çliruar nga mëkatet tona me anë të gjakut të tij ‘ kjo ndërtesë dedikohet ‘si një shtëpi lutjesh për të gjitha kombet’ në mbretërinë e H. M. Zahir Shah, 17 Maj 1970 mbas K. ‘duke qenë vetë Jezus Krishti si guri i qoshes”.

Kur trupat arritën dhe filluan të rrëzonin murin midis rrugës dhe pronës së kishës, si parapërgatitje për shkatërrimin e saj, një biznesmen i krishterë gjerman shkoi tek kryetari i bashkisë së Kabulit i cili e kishte dhënë urdhërin, dhe i tha: “Nëse qeveria juaj e prek atë shtëpi të Perëndisë, Perëndia do ta rrëzoi qeverinë tuaj”. Kjo u dëshmua të ishte një profeci. Kryetari i bashkisë më pas i dërgoi një letër kongregacionit duke i urdhëruar ata që ta jepnin kishën që të shkatërrohej, sepse kjo do të thoshte se qeverisë nuk do i duhej të paguante kompensim. Ata u përgjigjën se nuk mund t’ia jepnin askujt meqë nuk u përkiste atyre. Ajo i ishte dedikuar Perëndisë. Ata shtuan gjithashtu se nëse qeveria do e merrte për ta shkatërruar ata do ishin përgjegjës para Perëndisë.

Policia, punëtorët dhe buldozerët u dërguan për të shkatërruar kishën. Kongregacioni, në vend që t’i kundërshtonte, u ofroi atyre çaj edhe biskota. Të krishterët në të gjithë botën u lutën dhe shumë prej tyre u shkruan letra ambasadave afgane në vende të ndryshme. Billi Graham dhe drejtues botërorë tjerë të krishterë firmosën një shkresë shqetësimi dhe ia dërguan atë mbretit.

Në korrik 1973, shkatërrimi i ndërtesës së kishës përfundoi. Atë natë, qeveria afgane e cila ishte përgjegjëse për shkatërrimin u rrëzua nga një grusht shteti. Afganët që me shpejtësi shohin shenjat tek ngjarjet thonë se Jezus Mesia zbriti nga qielli dhe rrëzoi qeverinë sepse qeveria kishte rrëzuar kishën e tij. Kishte qenë një monarki për 227 vjet. Atë natë u bë republikë, nën drejtimin e presidentit Davud. Në 1978 kjo qeveri u përmbys prej një grushti shteti komunist, e pasuar nga pushtimi rus menjëherë pas Krishtlindjes në 1979. Shumë afganë u desh që të arratiseshin nga vendi i tyre si refugjatë. Njëri prej tyre u dëgjua të thoshte: “Që kur qeveria jonë shkatërroi kishën e krishterë , Perëndia ka gjykuar vendin tonë”.

Nën regjimin komunist Instituti për të verbërit në Kabul u rihap dhe Zia u vendos në detyrë. Ai bëri një punë të mirë me riorganizimin e saj. Më pas ndaj tij u bë presion të bashkohej me partinë komuniste. Ai refuzoi. Një zyrtar i tha atij se nëse nuk bashkohej, ai mund të vritej. Ai iu përgjigj se nuk kishte frikë nëse vritej dhe e pyeti komunistin nëse ai ishte gati të vdiste.

Përfundimiths, Zia u arrestua më akuza të rreme dhe u fut në burgun politik Puli Çarki jashtë Kabulit, ku u ekzekutuan me mijëra. Atje nuk kishte nxehje në burg që të mbronte të burgosurit prej dimrit të ftohtë. Atij i duhej të flinte në dyshemenë e ftohtë prej balte me pallton e tij. Një i burgosur pranë tij po dridhej nga të ftohtët sepse nuk kishte as xhaketë. Zia e dinte që Gjon Pagëzori kishte thënë: “Ai që ka dy tunika le t`i ndajë me atë që s`ka, dhe ai që ka të hajë le të veprojë po kështu” (Luka 3:11). Ai e hoqi të vetmen pallto që kishte dhe ia dha personit afër tij. Që prej asaj kohe, Perëndia në mënyrë të mrekullueshme e ka mbajtur atë ngrohtë çdo natë. Ai fjeti si të kishte një ngushëllues mbi të.

Në burg, komunistët e vunë Zian në trajtime elektrike për t’i bërë lavash të trurit. Djegiet elektrike lanë shenja në kokën e tij. Por ai nuk u dorëzua. Kur iu dha mundësia të studionte rusishten në burg ai zotëroi edhe këtë gjuhë po ashtu. Komunistët e liruan atë më në fund në dhjetor 1985.

Duke pasuar lirimin e tij nga burgu, Zia lexoi nga Zanafilla 12:1-3 në Biblën e tij Braille: “Por Zoti i tha Abramit: "Largohu nga vendi yt, nga të afërmit e tu dhe nga shtëpia e babait tënd, dhe shko në vendin që do të të tregoj. Unë prej teje do të bëj një komb të madh, do të të bekoj dhe do ta bëj të madh emrin tënd, dhe ti do të jesh një bekim. Dhe unë do të bekoj të gjithë ata që do të të bekojnë dhe do të mallkoj ata që do të të mallkojnë, te ti do të jenë të bekuara tërë familjet e tokës”. Zia ndjeu se Perëndia po e thërriste atë që të largohej nga Afganistani dhe të shkonte si misionar në Pakistan. Kështu, ai u takua me një mik, një lypës të verbër. Më pas u vesh me lecka. Gjatë rrugës jashtë vendit, ai e la mikun e tij që të fliste , duke maskuar identitetin e tij prej ushtarëve. Në këtë mënyrë patën mundësi të kalonin pikat e kontrollit sovjetik gjatë rrugës kryesore prej Kabulit. Iu deshën dymbëdhjetë ditë të përshkonin 150 milje për në kufirin Kyber për të kaluar më pas në Pakistan.

Pasi Zia arriti në Pakistan iu dha një mundësi për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara për të studiuar hebraisht meqenëse ishte duke punuar gjithashtu me përkthimin e Dhiatës së Vjetër në gjuhën e tij Dari. Ai e refuzoi, duke thënë se kishte shumë për të bërë në mesin e refugjatëve afganë dhe nuk mund të largohej. Ai filloi një Institut për të verbërit për ta. Ai mësoi gjuhën kryesore të Pakistanit, Urdu, duke predikuar në këtë gjuhë në kishat e krishtera. Për më tepër, përfundoi edhe një libër me historitë e Dhiatës së Re për fëmijët në gjuhën Dari.

Në 23 mars 1988, Zia u rrëmbye nga një grup fanatikësh myslimanë, Hisbe Islami (Partia Islamike) dhe u akuzua si agjent i CIA-s sepse dinte anglisht. U akuzua gjithashtu si spiun i KGB ose Kad sepse dinte rusisht dhe se ishte një fe mohues i Islamit sepse ishte i krishterë. U rrah me shkopinj për orë të tëra. Një person që sheh mund të shtrëngohet dhe të dridhet kur i vjen fshikullima. Por një i verbër nuk e sheh drurin që po i afrohet dhe e mbledh tërë forcën madje sikurse Zoti Jezus Krisht u fshikullua me sytë lidhur dhe më pas u godit (Luka 22:64). Gruaja e tij dhe tre vajzat kishin patur mundësi të largoheshin nga Afganistani dhe ishin me të në Pakistan në kohën që u rrëmbye. Menjëherë pas kësaj, gruaja e tij lindi një djalë të bukur që i ngjante shumë babait të tij.

Askush nuk e di nëse Zia arriti të kuptonte ndonjëherë se i lindi djalë.

Fjala më e fundit edhe pse jo përfundimtare është se Hisbe Islami e vrau Zian. Para se ta rrëmbenin ai i kishte thënë një mikut të tij që nëse kjo parti e zinte ndonjëherë ata kishin për ta vrarë. E njëjta parti kishte zënë dy të krishterë pakistanezë që po shpërndanin ndihma për Afganët në nevojë dhe i torturuan ata. Para lirimit të tyre, njëri prej të kapurve citoi: “Ne nuk do të vrasim ty sikurse vramë Zian Nodrat”. Për më tepër një reporter lajmesh afgan në kufirin veriperëndimor të Pakistanit pohon të ketë fakte se Hisbe Islami e kanë vranë Zian në një mënyrë mizore.

Deklarata universale e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në nenin 13 citon: “Çdokush duhet të ketë të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe religjionit; liri për të shprehur religjionin ose besimin vetjak”. Historia e Zias është një histori e shkeljes së të drejtave të njeriut. Zias iu mohua liria e tij dhe është martirizuar për besimin e tij. Para kapjes së tij ai i kërkoi një miku të krishterë që të kujdesej për familjen e tij nëse atij do i ndodhte ndonjë gjë. Miku iu përgjigj në mënyrë pozitive duke mos menduar se Zia mund të rrëmbehej. Ai ishte në gjendje të rregullonte që gruaja dhe vajzat e Zias të niseshin në Amerikën Veriore.

Perëndia nuk imponon një sistem besimi mbi njerëzit. Ai u ka dhënë atyre lirinë për të zgjedhur. Ndaj çfarë të drejte ka një regjim ose grup tokësor për të imponuar një sistem të caktuar besimi? Lutja jonë është që qeveria e re e Afganistanit do të respektojë lirinë e religjionit e cila është baza e të gjitha lirive të tjera. Në Dari që është gjuha kryesore afgane e Kabulit është një fjalë e urtë e njohur afgane e cila thekson këtë të vërtetë: “Isa’I badin khud, Musa’I badin khud.”(“Ndjekësit e Jezusit le të praktikojnë religjionin e tyre dhe ndjekësit e Moisiut të tyren”).

Jezusi profetizoi: “madje po vjen ora kur, kushdo që t`ju vrasë, do të mendojë se i ka kryer një shërbim Perëndisë”(Gjoni 16:2). Pas ringjalljes së tij, ai i urdhëroi ndjekësit e tij: “Ji besnik deri në vdekje dhe unë do të të jap kurorën e jetës.” (Zbulesa 2:10). Nëse Zia është vrarë për Mesian ai ka shkuar drejt shpërblimit të tij të përjetshëm. Dhe të gjithë ata të së njëjtit besim do ta shohin atë përsëri; sikurse Bibla premton: “…dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin.” (1 Thesalonikasve 4:17). Atëherë do të kemi mundësi të mësojmë historinë e plotë të jetës së përkushtuar të Zias.

Leja për të ndarë dëshminë e Zias u mundësua nga Bashkësia e Besimit, Toronto, Kanadë.


Kapitulli 15 - Dëshmia e Validit